Comment are off

DREJTORIA E PËRGJITHSHME

Tiranë, më 21.11.2018

DEKLARATË PËR SHTYP

Mbrëmë në studion televizive të emisionit “Dritare” të gazetares Rudina Xhunga ndërsa diskutohej për projektin e Unazës së Madhe të Tiranës, një nga qytetarët në lidhje direkte ngriti pretendimin se “i janë kërkuar nga sekserë të ALUIZNI-t, të cilët ai nuk i njeh, 30 mijë euro për të legalizuar një objekt”.

Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t, i kërkon zyrtarisht Prokurorisë të hetojë mbi pretendimin e ngritur nga qytetari dhe jo vetëm. Në kuadër të transparencës dhe mos përbaltjes të institucionit, i kërkojmë organeve kompetente të reagojnë dhe t’i shkojnë deri në fund zbardhjes së këtij rasti.

ALUIZNI angazhohet të bashkëpunojë me prokurorinë për të vënë para përgjegjësisë ligjore këdo të përfshirë.

Gjithashtu e ftojmë qytetarin denoncues që, nëse i qëndron deklarimit publik, të na paraqesë informacionet që disponon për këtë rast që, me sa të mundemi të japim kontributin tonë për sqarimin e rastit. E themi këtë, pasi gjykojmë që gjendja e rënduar emocionale e tyre, nuk mund të bëhet shkak për të krijuar ankth dhe premisë çorientuese tek masa e qytetarëve në nevojë që qetësisht vijojnë të ndjekin procedurat e legalizimit.

Institucioni i ALUIZNI-t është duke vijuar punën për të përmbyllur procesin e legalizimit sikundër premtuam 5 vite më pare, në nisje të punës sonë.
Ne kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve mbi të gjitha për të denoncuar rastet korruptive që ndeshin në zyrat e institucionit.

Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t.