Comment are off

DREJTORIA E PËRGJITHSHME

Tiranë, më 23.11.2018

NJOFTIM PËR SHTYP

Agjencia e Legalizimit zhvilloi sot në Libofshë aktivitetin për mbylljen e procesit të legalizimeve në të gjitha njësitë administrative të Qarkut Fier. Konkretisht bëhet fjalë për komunat bujqësore më të rëndësishme të vendit, Libofsha, Cakrani, Mbrostari, Levani, Frakulli, Qendër, Topojë, Dërmenas dhe Portëz.

Një një aktivitet me praninë e kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, ministres së Drejësisë, Etilda Gjoni në qendër të qytetit të Libofshës, drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame tha se, “Libofsha dhe zonat përrreth kanë qënë zona me një problematikë të gjerë për procesin e legalizimit për shkak të çështjeve ekonomike dhe bujqësore që ka zona e Fierit. Sot mbyllet procesi i legalizimit në këto zona, por duhet vënë theksi në atë që na mbetet në këto zona”, tha z. Lame duke vënë në dukje faktin se 93% e legalizimeve të kryera në këtë zonë janë banesa. “Për fat jo të mirë, janë disa objekte që nuk mund të legalizohen, megjithëse ne pamë dhe u munduam të gjejmë një mënyrë, por nuk mund të legalizohen objekte shtetërore të zëna, nuk mund të legalizohet ajo që ka zënë stacionin e vjetër këtu në Libofshë apo nuk mund të legalizohet dikush që ka zënë objekte të tjera të këtij lloji, SMT apo një kopësht”, vijoi drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t.

Drejtori Lame tha mes të tjerash se, “në këtë zonë ka patur mbi 26 mijë vetëdeklarime për legalizim, ku rreth 10 mijë vetëdeklarime kanë qënë në zonë bujqësore zona që për fat të mirë kanë vazhduar të zhvillohen nga pikëpamje bujqësore”.

Kryeministri Edi Rama i pranishëm në aktivitet tha se, “është e pamundur të ndërhyjmë në ligj për të legalizuar ‘pushtimin’ e një kopshti, çerdheje, apo ish-stacionit që duhet t’i kthehen komunitetit këtu. Por nga ana tjetër, sigurisht që ka mirëkuptim për këta njerëz dhe kthimi i këtyre pronave tek komuniteti do të bëhet në bazë të projekteve dhe të një trajtimi njerëzor të këtyre familjeve”.

Po ashtu, kryeministri foli edhe për reformën në fushën e pronës. “Nuk do të ketë më Hipotekë apo ALUIZNI dhe sorollatje sa andej këtej. Agjencia Kombëtare e Titujve të Pronësisë do të trajtojë në mënyrë horizontale të gjithë problematikat e pronës. Brenda saj do ketë një mekanizëm të ri, një avokat të qytetarit, një mekanizëm që do ta përdorin qytetarët për të mos humbur kohë në gjykatë përpara se të gjejnë gjuhën e përbashkët me institucionin”, tha z. Rama.

Sipas kryeministrit, së shpejti drafti për ngritjen e Agjencisë Unike të Pronave do të shkojë në parlament dhe brenda 6-mujorit të 2019 do të kemi një adresë të re për çdo qytetar që ka një hall me pronën.

Në njësitë administrative të Fieri nga viti 2006-2013 ishin të kryera vetëm 72 legalizime. Ndërsa nga viti 2014-2018: 8320 legalizime, 110-fishi më shumë. 94% e këtyre legalizimeve të kryera në Fier janë në tokë të tyre dhe kjo ka qenë një nga arsyet që procesi ka ecur me ritme të shpejta. Por kjo është edhe arsyeja që, përpara vitit 2013, nuk ju afrohej njeri për legalizimin.

ALUIZNI