Comment are off

DREJTORIA E PËRGJITHSHME

Tiranë, më 04.12.2018

NJOFTIM PËR SHTYP

Projektligji për Kadastrën nisi sot diskutimin në Komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame ishte në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese ku shpjegoi draftin e ligjit.

“Kjo është reforma e pestë për pronën që bëhet në vend që nga viti 1912, tha z. Lame duke sqaruar se “në vend ka 4.4 milion pasuri të paluajtshme, prej të cilavë 3.8 milion janë të regjistruara dhe 600 mijë të paregjistruara. Të mbyllet një herë e mirë kapitulli i pronës. Duhet të ndahemi përfundimisht nga periudha e tranzicionit në raportet me pronën dhe mbylljen e periudhës të shtetit pronar që jep prona, ndan prona dhe kalimin në atë të shtetit administrator dhe mbrojtës të të drejtës së pronës midis qytetarëve. Procesi 24 vjeçar i regjistrimit të pronës ka qenë difektoz, është zvarritur për vite. Gjendemi me 4.4 milion pasuri nga të cilat, 2.5 milionë rezultojnë me probleme”, tha drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t duke iu përgjigjur pyetjeve të ligjvënësve.

“Legjislacioni i ri përmbyll një herë e mirë proceset e pronësimit në Shqipëri, shteti përfundimisht mbyll kapitujt e pronës së vet dhe prona kthehet në një element zhvillimi, që transferohet nga njëri tek tjetri jo më si dhuratë e shtetit, por si marrëdhënie ekonomike kapitaliste sin ë çdo vend normal të këtij sistemi” është shprehur drejtori Artan Lame në takimin e parë në komisionet parlamentare.

Duke shpjeguar problematikat e reformës së sistemit të pronësisë në vend që parashikohet të rregullohen me ligjin e ri, z. Lame bëri një pasqyrë të situatës aktuale të pronësisë në vend, “ligji do të rregullojë funksionimin e AMTP-ve, thënë ndryshe akti i marrjes së tokës në përdorim për të kaluar në pronësi ku deri tani kanë përfituar rreth 438 mijë familje fshatare, me procesin e 7501, me Ligjin e ndarjes së tokës, përfshirë kooperativat bujqësore dhe ndërmarrjet bujqësore nga të cilat rezultojnë rreth gjysma ende të paregjistruara në ZRPP, në Kadastër. Shifër të saktë për këtë nuk ka askush për shkak të vetë strukturës së ZRPP, që nuk e ka të informatizuar të gjithë sistemin, por është arritur deri në konkluzionin se gjysma janë të regjistruar dhe gjysma të paregjistruar në ZRPP, pra kanë aktin e marrjes së tokës në shtëpi, por nuk e kanë të regjistruar.  Ky është një nga problemet më vrastare të tokës në fshat që pengon të gjitha proceset e tjera, shit-blerjes mes vetë fshatarëve, marrjes së kredive e kështu me rradhë. Përveç këtyre janë edhe rreth 20 mijë familje, kanë rënë pak për shkak të impenjimit të qeverisë vitin e fundit për ta mbyllur si proces, që nuk janë pajisur me AMTP, pra hallkën e parë për të shkruar më pas tek regjistrimi”, vijoi drejtori i ALUIZNI-t.

“Një tjetër process i rëndësishëm i parashikuar në këtë projektligj është regjistrimi i pronës shtet. Vetë shteti shqiptar nuk ka të regjistruar pronën e vet. Në një farë mënyrë, Kadastra është godina më e rëndësishme në një shtet modern, mund të bjerë çdo lloj gjëje, por humbja e Kadastrës prektikisht e kthen shtetit në nivelin zero. Mendoni pastaj një shtet që në gjithë këto vite nuk ka regjistruar pronën e vet”, tha mes të tjerash z. Lame.

Duke iu referuar procesit të legalizimeve, ai vijoi duke thënë se, “165 mijë  legalizimi nga 227 mijë objekte të legalizueshme. Pjesa e mbetur që është rreth 60 mijë do të vazhdojë dhe me këto ritme brenda 2 vjetëshit përfundon procesi i legalizimeve”.

“Janë po ashtu edhe një sërë procesesh që vijojnë”, tha z. Artan Lame duke shpjeguar proceset e reformës së pronës të përfshira në projektligjin e ri për funksionimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.