Comment are off

DREJTORIA E PËRGJITHSHME

Tiranë, më 07.02.2019

NJOFTIM PËR SHTYP

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot pasdite me 75 vota ligjin “Për Kadastrën në Republikën e Shqipërisë”.
Pasi pranoi me votat e maxhorancës dhe të opozitës dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin e “Ligjit për Kadastrën”, Kuvendi miratoi edhe Ligjin me ndryshimet e pësuara pas ripunimit në komisionet parlamentare. Ndryshime të cilat kanë efekt sqarues dhe plotësues.
Deputetët vlerësuan se, riformulimet kanë për qëllim të shmangin çdo keqkuptim eventual, si dhe të saktësojnë disa aspekte që lidhen me datën e hyrjes në fuqi të ligjit dhe me ngritjen e Agjencisë së re, menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Ligji i ri për Kadastrën synon të krijojë një institucion modern për regjistrimin e pasurisë së paluajtëshme. Me këtë ligj dhe kuadrin ligjor që do të pasojë synohet rikonceptimi i qasjes dhe praktikës së institucioneve që trajtojnë problematikat e pronësisë në vend.
Ligji “Për Kadastrën në Republikën e Shqipërisë” parashikon shkrirjen e tre institucioneve të ALUIZNI-t, Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipotekës) dhe Agjencinë e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike (AITPP) në një të vetëm. Krijimi i një kadastre moderne do të thotë çlirim prej pasojave të një ngërçi në zinxhirin e pronësisë, që veç ndikimit në cilësinë e jetës të individëve dhe zhvillimin e vendit do të përmbushë këtë të drejtë kushtetuese.