Comment are off

MIRATOHET VENDIMI PËR KOMPENSIMIN E ISH-PRONARËVE

DREJTORIA E PËRGJITHSHME

Tiranë, më 19.03.2019

NJOFTIM

Të nderuar qytetarë!

Këshilli i Ministrave miratoi në dt. 13.03.2019 vendimin me numrin më të madh të pronarëve, të cilët kompensohen për tokën e zënë nga ndërtimet informale. Pronarët, të cilët prej vitesh kishin “humbur” të drejtën mbi pronën e tyre, sot do të kompensohen në vlerë monetare për parcelat e zëna.

Në këtë VKM janë trajtuar rreth 700 pasuri, ndërsa numri i personave përfitues është disa herë më i madh (rreth 2300), pasi në secilën pasuri përfshihen emrat e disa trashëgimtarëve.

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, deklaron se “ky proces do të vijojë me të njëjtin intensitet edhe pas krijimit të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, madje me tendecë përshpejtimi, duke pakësuar një pjesë thelbësore të varavingove burokratike”.

Në pesë vite, Qeveria Shqiptare ka miratuar 35 VKM me lista për kompensimin e pronarëve të ligjshëm, me një total financiar rreth 4,5 miliardë lekë (rreth 40 milion USD), ndërsa nga viti 2008-2013 kanë qenë të miratuara vetëm 15 VKM. Nga shifrat zyrtare të ALUIZNI-t rezulton se, në 35 vendime të miratuara nga Këshilli i Ministrave kanë përfituar 16.273 trashëgimtarë. Deri më sot janë trajtuar 2694 pasuri, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje.

Ndërkaq nga ALUIZNI janë në proces përgatitje edhe dy VKM të tjera me emra ish-pronarësh, të cilët do të kompensohen në vijim.

Më poshtë bashkëlidhur VKM miratuar në 13 mars 2019, e shoqëruar me listat emërore të pronarëve përfitues.

Shkarko listën e plotë në PDF këtu