Comment are off

Deklaratë për Shtyp 14.09.2016

Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame dhe Kryeregjsitruesi Ilirjan Muho zhvilluan një deklaratë të përbashkët shtypi mbi marrëveshjen  ALUIZNI-Hipotekë. Nga dita e hënë fillon zbatimi marrëveshjes midis këtyre dy institucioneve për regjistrimin dhe lëshimin e certifikatës së pronësisë të ndërtimit të legalizuar.

foto-lame-muhoRezultat i kësaj pune do të jetë pajisja e qytetarëve, nëpërmjet shërbimit postar, me certifikatën e pronësisë për ndërtimin e legalizuar brenda 10 ditëve dhe me një aplikim të vetëm, të kryer pranë ZVRPP jo më prej tyre, por tanimë nga ALUIZNI. Kjo do të thotë shmangie e çdo hallke të ndërmjetme, zvarritëse dhe të tepërt në shkëmbimin e dokumentacionit midis dy institucioneve, gjë që kishte shkaktuar një situatë stresuese për qytetarët.

Artan Lame: Jemi këtu për të komunikuar një prej arritjeve të përbashkëta dhe me efekt në ditët që vijojnë. Kujdesi jonë që prej fillimit të operimit, ka qenë thjeshtimi i procedurave. Për këtë arsye kemi bërë herë pas herë ndryshime në legjislacon, në akte nënligjore, në këto tre vjet të punës sonë.

Një nga aktet e fundit e kemi ndërmarrë para rreth dy muajsh, kur u arrit heqja e procedures së kontratës së kalimit të pronësisë që çdo qytetar duhet të lidhte te noterët para se të shkonte te ALUIZNI, procedurë kjo që tani kryehet nga ALUIZNI pa pagesë. Sot kemi dalë së bashku me Kryeregjistruesin e Republikës z. Ilirian Muho, për të dhënë një lajm shumë të mirë për të gjithë qytetarët e interesuar.

Duke filluar nga e hëna, qytetarët të cilët legalizojnë banesat e tyre, nuk do të aplikojnë më pranë ZRPP-ve (zyrave të Hipotekës) për regjistrimin dhe marrjen e certifiates së pronësisë. Këtë proces kompleks, që prej të hënës do ta kryejnë Drejtoritë përkatëse të ALUIZNI-t në bashkëpunim me zyrat e ZRPP-ve. Na u deshën disa muaj për të ndryshuar dhe përshtatur procedurat ligjore. Unifikuam sistemet e operimit për të mundësuar shkëmbimin dhe dërgimin e informacionit “on line” me ZRPP.

Hartuam dhe bashkëfirmosëm një udhëzim të hollësishëm procedimi. Edhe nga pikëpamja organizative, ndryshimi i sotëm është një risi për të gjithë administratën publike që ka lidhje me shërbimet ndaj qytetarëve sepse është zbatimi më i prekshëm i parimit “one stop shop”.

Pas nisjes së procesit të legalizimeve masive në vitin 2014, ky ndryshim i sotëm është është më i rëndësishmi dhe themelori që kemi arritur në të gjithë këtë proces.

Falenderoj stafet tona për gjithë punën përgatitore të bërë në këta muaj. Bashkarisht e kemi filluar ketë proces dhe bashkarisht do t’i shkojmë deri në fund.

foto-1

Ilirjan Muho: Ndryshimi i bërë kohët e fundit ka dy risì. Risia e parë tashmë është fakti se për qytetarët shmanget një sportel. Nëpërmjet tij, nuk është më e nevojshme që qytetarët të paraqiten pranë zyrave tona për të aplikuar, pasi këtë detyrim e marrin përsipër zyrat e ALUIZNI-t. Janë ato përgjegjëse tashmë që pas përfundimit të procedurave për dhënien e lejes së legalizimit kanë të drejtën të aplikojnë online në sistemin tonë. Brenda  10 ditëve specialistët duhet ta trajtojnë këtë aplikim dhe në rast se gjatë këtij trajtimi do të ketë nevojë të sqarohet një paqartësi ose situatë, ky komunikim do të kryhet vetëm me zyrat e ALUIZNI-t. Pra, qytetarët do të jenë plotësisht të çliruar nga kjo lloj përgjegjësie, pasi do të jenë zyrat e ALUIZNI-t përgjegjëse për komunikimin  me qytetarët. Në momentin e përfundimit të shyqyrtimit të kërkesës; pra në momentin që ajo trajtohet pozitivisht, atëherë qytetarët duhet të paraqiten në zyrat tona për të aplikuar dhe për të tërhequr dokumentin e pronësisë. Pra, qytetarët do të  paraqiten në zyrat tona vetëm në momentin e aplikimit dhe tërheqjes së dokumentit të pronësisë.

Risia e dytë:  Shpesh gjatë trajtimit të kërkesave, të procedurave për qytetarët ishte aplikimi i kamatëvonesave që vinin për shkak të mosaplikimit brenda afatit. Dhe çfarë ndodhte konkretisht. Ndodhte që zyrat e ALUIZNI-t kishin dhënë lejen e legalzimit, dosja ishte dërguar pranë zyrave tona, por qytetarët për shkak të mungesës së informacionit aplikonin në zyrat tona përtej afatit ligjor, pra përtej afatit 30-ditor dhe në momentin që paraqiteshin në zyrat tona ishin të detyruar të aplikonin dhe kamatëvonesën. Me këtë ndryshim të rëndësishëm tashmë ky problem nuk do të ekzistojë më, pasi e drejta për të aplikuar i ka kaluar zyrave të ALUIZNI-t dhe sistemi jonë është i gatshëm të pranojë aplikime nga të gjitha drejtoritë e ALUIZNI-t, në dispozicion të specilistëve të dy instititucioneve, qoftë të ALUIZNI-t, qoftë të ZRPP-ve, tashmë është një manual përdorimi, i cili tregon në mënyrë shumë të thjeshtuar të gjithë procesin që do të ndodhë nga momenti i aplikimit deri në momentin e trajtimit të kërkesës së tyre. Gjej rastin të falënderoj të dy stafet tona për këtë punë kaq të rëndësishme në dispozicion të qytetarëve.

Artan Lame: Tani na mbetet ta testojmë sistemin që me legalizimet e shtatorit, që do të thotë se do të jenë fillimisht rreth 5000 familjet e para që do marrin lejen e legalizimit dhe nuk do kenë më nevojë të shkojnë në zyrat e Hipotekës, duke liruar sportelet për qytarët që kanë probleme të tjera me këto zyra.