Comment are off

Lame: Gjithë ALUIZNI në ristrukturim të plotë

DEKLARATE SHTYPI

Tiranë, 22.08.2017

TE DHENA PER 4-VJEÇARIN

Në këto ditë të fundit të këtij mandati, dëshiroj të ndaj me ju disa rezultate të arritura në këto 1000 ditë.

Çështja e legalizimeve ka qenë kalë beteje i politikës për gati dy dekada. Ne ja dolëm ta zbresim politikën nga ky kalë dhe ti kthejmë legalizimet në çështje të njerëzve. Dhe për më tepër, duke propozuar një skemë që u duk si e pamundur në fillim, ndërsa është realitet tashmë: skemën e legalizimeve falas.

Legalizimet u kthyen në një histori suksesi të kësaj Qeverie dhe ky është një fakt që sot askush nuk e ve më në diskutim.

Image.png

E gjetëm institucionin në vitin 2013, pas 8 vjetësh qeverisjeje të djathtë, me vetëm 21.000 legalizime të kryera dhe sot kemi arritur në shifrën e 144.154 objekteve të legalizuara.

Nga 323.000 objekte që ishin në sistem, në 306.800 prej tyre, pra në 95% ka përfunduar procesi i verifikimit në terren.

Tre vendet e para për numrin e legalizimeve në rang Republike, janë:

-Qarku Tiranë, me 36.267 shtëpi të legalizuara;

-Qarku Durrës, me 27.645 shtëpi të legalizuara;

-Qarku Fier, me 14.386 shtëpi të legalizuara;

Gjithashtu, nga shitja e parcelës ndërtimore (për rastet kur trualli është me pronar) u grumbulluan 4,8 miliard Lekë, të cilat kanë shkuar për kompensimin e pronarëve të tyre, proces nga i cili kanë përfituar 15.068 ish-pronarë.

Praktikisht sot mund të themi se procesi i legalizimeve të objekteve që janë brenda kritereve ligjore në zonat informale, është përmbyllur në masën rreth 88%.

Por më tepër se çështje numrash, duhet të kujtojmë që legalizimet ishin çështje fryme, cështje edukimi ligjor, dhe një nga betejat e fituara të formalizimit të ekonomisë shqiptare.

Gjatë vitit të fundit ne morëm përsipër t’i japim rrugëzgjidhje edhe një prej problematikave të konsideruara si kockë e fortë, atë të legalizimit dhe hipotekimit të Pallateve të braktisura nga pronarët apo me problematika të mbartura. Eshtë një nga proceset më të vështira për shkak të kompleksitetit që ka secili rast, dhe jam i kënaquar që, megjithatë, është një proces që vijon me siguri.

Në emër të dhjetra e qindramijë familjeve që, në këto katër vjet përmes punës sonë, u bënë pronarë të ligjshëm të shtëpive të tyre, dëshioroj të falenderoj punën e gjithë atyre djemve e vajzave, specialistë tanët, që trokitën derë më derë në 306.000 dyer shqiptare.

REFORMIMI

Takimet e Kryeministrit me publikun, vunë në dukje fort edhe atë që do të jetë në vijim problem thelbësor i sistemit: Përmbyllja tërësore e procesit të legalizimeve dhe gjetja e zgjidhjeve për objektet për të cilat legjislacioni aktual nuk e lejon legalizimin e tyre.

Bash për këto arsye jemi duke përgatitur një bllok ndryshimesh dhe përmirësimesh ligjore, si edhe propozimet përkatëse për t’i dhënë udhë këtyre problematikave komplekse.

Gjithashtu, siç keni dëgjuar edhe nga deklaratat e Kryeministrit, i gjithë sektori i pronësimit në Shqipëri gjendet në pragun e një reforme tërësore, përfshirë këtu në rradhë të parë ALUIZNI-n, me qëllim pajisjen me titull të qartë dhe të saktë të çdo prone të Republikës, pasi “pa pronësi të qartë nuk ka investim të sigurtë”.

Në këtë kuadër, edhe i gjithë institucioini i ALUIZNI-t do t’i nënshtrohet një ristrukturimi të plotë ligjor, strukturor dhe territorial, me qëllim që

-nga njëra anë t’u jepet jetë dhe të mundësohet pikësynimi i mësipërm dhe përshtatja e vetë strukturës me sfidat e reja të katërvjecarit;

-nga ana tjetër, të bëhet e mundur të korrigjohen një sërë problematikash që janë vënë re në këto katër vjet, për sa i përket marrdhënieve dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

Dhe si në çdo reformë, komponentja kryesore mbetet tërheqja e burimeve njerëzore sa më të specializuara dhe me vullnet pune. Ndaj që prej sot, i deklaroj të hapura dyert e institucionit për çdo djalë a vajzë, për çdo specialist të sektorit, që do të dëshironte të aplikonte për t’u bërë pjesë e rradhëve tona, që nga pozicioni i specialistit të terrenit e deri tek posti i drejtorit.

Këtij procesi konkurimi do t’i nënshtrohet në rradhë të parë e gjithë struktura egzistuese e jona, që nga Malsia e Madhe e deri në Konispol, drejtorët, shefat e sektorëve, specialistët dhe punonjësit e terrenit.

Ky proces vetëkontrolli, bëhet i domosdoshëm, pasi përkrah ushtrisë së punonjësve që e justifikuan dhe vazhdojnë ta justifikojnë besimin e dhënë, kemi edhe një masë punonjësisht dhe drejtuesish që vazhdimisht janë bërë target i ankesave të qytetarëve apo i prapambetjes së punës.

Në ditët në vijim, do të publikojmë datat dhe procedurat e konkurimit, si edhe kërkesat specifike për punësim, por kryesorja dhe e pakalueshmja do të jetë profesionalizmi, inxhinierë, arkitektë, gjeodetë, topografë, specialist IT-je, etj.

Ky proces vepastrimi do të krijojë parakushtin kryesor që ALUIZNI qoftë në mënyrën e sotme të organizimit, e qoftë në ristrukturimin e nesërm, të vijojë të mbetet një pikë referimi për të gjitha probematikat pronësore të qytetarëve dhe një shembull për t’u ndjekur nga të gjitha institucionet që kanë në fokus të tyre ofrimin e shërbimit ndaj qytetarëve.

Bashkarisht e kemi filluar ketë proces dhe bashkarisht do t’i shkojmë deri në fund.

Ju faleminderit,

DREJTORI I PERGJITHSHEM

ARTAN LAME