Comment are off

DEKLARATE SHTYPI Tiranë, 23.03.2017

Aktualisht kemi hyrë në fazën përmbyllëse të procesit të legalizimeve në zonat informale. Në ditët në vijim do të ndiqni rradhë pas rradhe që, për zona informale, për fshatra, qytete apo njësi administrative të veçanta, të deklarojmë përfundimin e procesit të legalizimit.

Në fund të këtij muaji do të arrijmë në shifrën 120.000 të legalizimeve të kryera në rang Republike, dhe do të vazhdojmë të mbajmë kuotën prej rreth 4500 deri 5000 legalizime në muaj.

Artan Lame

Sot ALUIZNI është shndërruar për shumë qytetarë një sportel ku mund të diskutojnë dhe konsultohen, jo vetëm për problematika të legalizimeve, por edhe për probleme të tjera që lidhen me cështje pronësie, kthimi pronash, hipotekimi, privatizimi, dokumentacioni ligjor, çështje gjyqësore, e të tjera.

Ka qenë dhe mbetet detyrim i yni të sqarojmë qytetarët, duke ju ofruar zgjidhje problematikave të tyre, apo duke i orientuar në xhunglën e legjislacionit shqiptar.

Por ky sukses i Institucionit dhe lidhja e kontaktet e përditshme me qytetarët, ka krijuar edhe efekte anësore të pakëndshme.

Në shumë raste, pranë drejtorive tona rajonale, janë vënë re individë që përpiqen të përfitojnë nga hallet e njerëzve, duke bërë rolin e sekserit.

Janë identifikuar sekserë e spekullantë, përfitues, akaparues, e lloj lloj ndërmjetësish të qenë e të paqenë, që mblidhen si mizat në mjaltë.

– Përpara tri ditësh, Policia e Shtetit arrestoi një individ që, duke u shtirë si nëndrejtor i ALUIZNI-t ju kërkonte para qytetarëve për procesin e legalizimit të banesave të tyre.

– Përpara rreth një muaji, në Farkë Policia arrestoi një tjetër individ që ushtronte të njëtin “zanat” dhe të cilit ju gjetën në banesë grumbuj dokumentash pronësie dhe legalizimi, qytetarësh të ndryshëm.

– Përpara disa ditësh, në një takim publik me qytetarët, me qëllim sqarimin e problematikave dhe procedurave të legalizimit të pallateve, na u denoncua prej tyre fakti që i kishin paguar para të gjithë banorët një shumë parash një individi që ju kishte premtuar t’ju bënte legalizimin.

Raste të tjera të tilla, ndonëse më të kufizuara, kemi patur edhe në qytete të tjera të vendit.

Gjej rastin të falenderoj sinqerisht Policinë e Shtetit për rastet e gjurmuara dhe të identifikuara deri më sot.

Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mos bëhen pre e këtyre personave.

Të mos i jepen ngasjes që, përmes pagesave nën dorë, të shpresojnë se mund të zgjidhin punë.

Mos ju zini besë personave që ju paraqiten në shtëpitë tuaja pa qenë të pajisur me dokumentin përkatës të identifikimit dhe të punonjësit të ALUIZNI-t.

Një legalizim ose bëhet ose nuk bëhet, sipas dispozitave ligjore. Dhe nëse ligji nuk e jep, nuk ka Maliq që të mund ta bëjë duke dhënë para nën dorë.

Përgjegjës për legalizimin e shtëpisë tuaj është vetëm Drejtoria përkatëse e ALUIZNI-t dhe jo tufa e përfituesve që, në shumicën dërmuese të rasteve, janë thjesht mashtrues të rëndomtë, pa asnjë lidhje reale me Institucionin.

Ftoj çdo qytetar të denoncojë pranë Drejtorëve përkatës apo direkt pranë meje, çdo rast sekserllëqesh të tilla.

Emaili im ka qenë dhe është i hapur për të gjithë.

Portali antikorrupsion i Kryeministrisë, faqja zyrtare e ALUIZNIT, faqja ime në FB, faqja e Institucionit në FB, janë gjithashtu të hapura dhe në dispozicionin tuaj.

Nga ana jonë, kemi bashkëpunuar dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me të njëjtin ritëm me agjensitë ligj-zbatuese, për të denoncuar apo shkurajuar raste të tilla dhe gjithë tymnajën që ata përhapin për t’i krijuar terren vetes.

Eshtë trishtuese të shohësh qytetarë që, pasi kanë përfunduar legalizimin në rrugë tërësisht normale, të shprehen të penduar se i kishin besuar këtij apo atij sekseri që i kish mashtruar se do ju mbaronte punë.

Bashkarisht e kemi filluar ketë proces dhe bashkarisht do t’i shkojmë deri në fund.

Ju faleminderit,

DREJTORI I PERGJITHSHEM

ARTAN LAME