Comment are off

Jepet leja e 110.000 e legalizimit

Kryeministri Edi Rama, kreu i ALUIZNI-t Artan Lame kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj si dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kanë shpërndarë  lejen e 110.000 të legalizimit.

rama-1

Ceremonia u zhvillua në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” ku dhe morën lejen 1045 qytetarë të bashkisë së Tiranës.

Në fjalën hapse, drejtori i Përgjitshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame tha se në tre vite është bërë një punë e madhe dhe kjo falë bashkëpunimit të institucionit me qytetarët.  Lame u ndal më shumë tek problemet që po hasin zyrat e ALUIZNI-t. “Kemi ende shumë probleme për t’u përballuar në Tiranë. Problemi është i vjetër dhe ka të bëjë me ndryshimin e hartave në zyrat e regjistrimit të pasurisë së paluajtëshme. Gati të gjitha njësitë administrative të Tiranës e vuajnë këtë lloj problematike dhe e përballojnë si problematikë nëpërmjet punës tonë që i bëjmë hartat nga e para. Ka 20 e ca vjet që nuk është përballur asnjëherë seriozisht në këtë mënyrë që është përballur këto tre vjet bashkëpunimi mes ALUIZNI-t dhe ZRPP-së”, tha Lame. Duke ju drejtuar kryebashkiakut Erion Veliaj, kreu i ALUIZNI-t  kërkoi bashkëpunim për zonat e bllokuara  që kanë planin e vjetër rregullues. “Janë 3500 familje që e vuajnë këtë problematike në disa njësi të Tiranës. Është vënë në rrugën e zgjidhjes dhe është zgjidhur. Një tjetër problem që prek mbi 1000 familje është ajo në Qytet Studenti dhe në zonën e Universitetit Bujqësor për hapësira të zënë nga ndërtimet pa leje por që askush në asnjë kohë nuk kanë vënë një kufi se ku përfundon Universiteti dhe ku fillon puna për të vijuar me procesin e legalizimeve”, është shprehur Lame.  Kreu i ALUIZNI-t u ndal edhe tek ndërtimet që janë bërë panë zonave ushtatake, apo që janë zënë godinat në pronësi të Ushtrisë. Edhe për këtë problem, drejtori I ALUIZNI-t u zotua për zgjidhje.

 

Ndërsa Kryeministri Rama theksoi se në qeveria ka dhënë 110 mijë leje legalizimi në vetëm 3 vite. Sipas tij, qeveria e kaluar dha vetëm 21 mijë leje legalizimi, 80% e të cilave ishin lokale dhe hotele.

“Çdo muaj legalizojmë aq sa legalizoi PD në 8 vite. Deri tani kemi dhënë 110 mijë leje legalizimi. Në qeverisjen e PD u dhanë vetëm 21 mijë legalizime gjithsej në 8 vjet.

Ata bënë një vrimë në ujë. 80% e legalizimeve të PD kanë qenë lokale dhe hotele. Ndërsa ne në tre vjet bëmë 110 mijë legalizime, pra ndryshimi është mjaft i madh. Sa herë japim legalizime u them atyre të djathtëve falenderoni këta që janë me mend në kokë që votuan këtë qeveri dhe jo ne, sepse ne bëjmë detyrën”, u shpreh Rama.

Moment pikant ishte ai kameramanit të TVSH-së të cilit Kryeministri i thirri emrin për të tërhequr lejen e legalizimit të banesës.

Operatori iu afrua kryeministrit bashkë me kameran në dorë, ndërsa Rama iu drejtua: “Po ti çfarë do?”, moment i cili u kalua me të qeshura nga të pranishmit.

Ndërkohë, një i moshuar me plis (qeleshe) në kokë, me origjinë nga Kalaja e Dodës (Dibër) i bëri një kërkesë Ramës duke i thënë që ta lejojë të ndërtojë një kolibe, duke nënkuptuar një shtesë në banesë.
“Dua të ndërtoj një kolibe, një kasolle dhe këto na i ke ndaluar, të paktën këto na i lejo”, iu drejtua i moshuari Ramës.

Ndërsa përgjigja e kryeministrit Edi Rama ishte se pa leje nuk duhet të vendosë asnjë tullë.

“Pa leje përsëri, e?! Merre këtë dhe mos vendos asnjë tullë, se të iku qeleshja. Je në rregull tani, ti e prisje nga ai tjetri dhe ta solla unë. As votë s’na ke dhënë dhe lejen e more, ti përsëri votën andej”, tha kryeministri Rama.