Comment are off

MOSDEKRETIMI I LIGJIT TE KADASTRES

DREJTORIA E PËRGJITHSHME

Tiranë, më 17.01.2019

DEKLARATË PËR SHTYP

Dje Presidenti i Republikës nuk dekretoi dhe ktheu për rishqyrtim Ligjin “Për Kadastrën”.

Ilir Meta sot është President i Republikës. Por godina e Presidencës e ndërtuar në vitin 1959, edhe sot e gjithë ditën nuk ka certifikatë pronësie.

Përpara kësaj z. Ilir Meta për 4 vjet ka qenë Kryetar i Kuvendit. Por as Salla ku mblidhet Kuvendi, e ndërtuar që në vitet ’50, nuk ka certifikatë pronësie.

Ca më parë akoma, z. Ilir Meta ka qenë edhe Ministër i Jashtëm. Por edhe Ministria e Jashtme, e ndërtuar që në vitet ’70, nuk është e rregjistruar dhe nuk ka certifikatë pronësie.

Ca më parë akoma, z. Ilir Meta ka qenë edhe Kryeministër i Republikës. Por as Godina e Kryeministrisë, e ndërtuar që në kohë të Italisë në vitin 1940, sot e gjithë ditën është e pa certifikatë pronësie.

Këto janë vetëm 4 nga pronat e këtij shteti, që ka të regjistruara me certifikatë pronësie vetëm 4% të pronave të veta.

Të këtij shteti, që ka ende edhe 600.000 prona private të paregjistruara.

Të këtij shteti që, sipas raportit të BB, duhet të ri-masë 80% të pronave të matura në këto 25 vjet, sepse janë matur së prapi.

Këto janë punët me të cilat do merret Kadastra, të cilën dje zoti President e ktheu mbrapsht si të rrezikshme.

Mirë se 74 deputetëve që do ta rivotojnë ligjin e Kadastrës po ju themi të presin, po si t’ua shpjegojmë hallin e Presidentit 60.000 familjeve që presin të mbyllin legalizimet, 220.000 fermerëve që presin të regjistrojnë tokën, 50.000 familjeve që presin të ligjërojnë banesat e vjetra, apo 2.800.000 pronave që presin të rimaten nga themelet se janë lëmsh?!

Nëse për shumë ligje të tjera që Presidenti ka kthyer, vonesa penalizon grupe të veçanta njerëzish, kthimi i Ligjit të Kadastrës penalizon çdo shqiptar që ka një çerek shekulli që gjen belanë me pronën.

Duke qenë njeri i letrave, modestisht di të vlerësoj gjënë e shkruar. Ndaj admiroj aftësinë e Presidencës për të mbushur 14 faqe kundër ligjit të Kadastrës dhe të mos thojë asgjë.

Kemi që dje qe jemi mbedhur dhe përpiqemi të gjejmë një argument në ato 14 faqe dhe s’po ja dalim dot.

Sidoqoftë, njërën prej shqetësimeve presidenciale do më lejoni ta analizoj.

Presidenti shkruan se “me këtë ligj Kryeministri merr atributet e administratorit të Regjistrit të Pasurive të paluajtshme”.

Kaq u desh që ca nga ato portalet që bëjnë lëmsh dynjanë, të shkruanin se Edi Rama po grabit regjistrin e pronave të shqiptarëve.

Dëshiroj të siguroj Presidentin se, jo vetëm Kryeministri i sotëm, por asnjëri nga 34 Kryeministrat e historisë së këtij vendi nuk e kanë patur idenë se si lexohet Regjistri i Hipotekës, ndaj s’kanë ç’e duan.

Veç kësaj, unë u përpoqa të bëj verifikime dhe nuk më rezulton që Edi Rama të ketë ndërmend të çojë në Surrel arkivin e Kadastrës.

Ligji e thotë qartë: Regjistri i Pronave është në administrim të Ministrisë së Drejtësisë si deri më sot. Ndërsa Agjensia e Kadastrës do të jetë në vartësi të Kryeministrit, në mënyrë që ky t’i tërheqë veshin direkt Drejtorit për mbarëvajtjen e punës së këtij Institucioni, që do të jetë themeli i reformës së pronës.

Të asaj Reforme të pronës që është nga ato ku s’pati të majtë e të djathtë që nuk ishte dakord se duhej bërë, përfshirë edhe vetë Presidentin kur ishte Kryetar i Kuvendit.

Sot është 17 janari, i 551-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. I atij Skënderbeut që ende sot e ka pa certifikatë pronësie Mauzoleun në Lezhë, gjë që ka bërë që e gjithë ajo zonë të rrethohet, sulmohet e copëtohet me lloj-lloj pronarësh, të qenë e të paqenë.

Së fundi, garantoj zotin President se, një ditë pas fillimit nga puna të Agjesisë së re Kadastrës, punonjësit e saj do të paraqiten gjithë respekt në derën e Presidencës së Republikës në Tiranë dhe në Portën e Mauzoleut të Skënderbeut në Lezhë, për të filluar procedurat e lëshimit të Certifikatave të Pronësisë për to, ashtu siç do vijojnë më tej me zgjidhjen e problemeve të certifikimit të pronës për gjithë pronat e tjera të shqiptarëve të këtij vendi.

Faleminderit!

 

Më poshtë, sqarimet tona për kthimin e Ligjit “Për Kadastrën” nga Presidenti i Republikës:

 

Mbi Dekretin nr.11055 të Presidentit të Republikës, për kthimin e ligjit 111/2018 “Për kadastrën”

Pasi u njohëm me argumentat e institucionit të Presidentit të Republikës, për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr.111/2018 “Për kadastrën”, vërejmë se janë paraqitur si probleme të nivelit kushtetues, një sërë cështjesh që jo vetëm nuk i përkasin këtij ligji, por edhe sikur të qëndronin, nuk hyjnë në sferën e të drejtës kushtetuese.

  1. Raporti i neneve 6 pika 1, 13 pika 6, 22 pika 2, të ligjit nr.111/2018 “Për kadastrën”, me legjislacionin bazë të së drejtës civile në Republikën e Shqipërisë.

Konkluzioni i Presidentit të Republikës është se parashikimet e neneve të mësipërme bien ndesh me Kodin Civil, për sa ka të bëjë me rolin që ky Kod i jep Ministrisë së Drejtësisë, në administrimin e veprimtarisë së regjistrit të pasurive të paluajtshme. Ndryshe nga ky perceptim, ligji nr.111/2018 “Për kadastrën” konfirmon rolin e Ministrisë së Drejtësisë, si administrues.

Në arsyetimin e Dekretit nr.11055 kemi të bëjmë me një konfondim të konceptit të administrimit me varësinë institucionale.

Konkretisht, në bazë të ligjit nr.111/2018 “Për kadastrën”, administrimi i veprimtarisë së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës është një çështje që tejkalon aspektin e varësisë hiearkike institucionale dhe është shumë më e gjerë se sa është paraqitur në arsyetimin e Dekretit.

Veprimtaria e regjistrit publik për pasuritë e paluajtshme, drejtohet dhe administrohet nga Këshilli Drejtues i ASHK, antar i të cilit është përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë. E njëjta skemë organizative është e pranishme në ligjin 33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”. Sikurse duket qartë, në ligjin nr.111/2018 “Për kadastrën”, Ministrisë së Drejtësisë i rikonfirmohet pozicioni që ka sipas Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë dhe ligjit që shfuqizohet (33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”).

Për sa më sipër, nëse duhet të flasim për administrim të regjistrit, në kuptimin e plotë të fjalës (drejtim dhe oganizim i punës mbi regjistrin e pasurive të paluajtshme), vetë ligji 33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” ka zbatuar parashkimin e nenit 198 të Kodit Civil duke e parë jo në frymën e ekskluzivitetit të pozicionit të Ministrisë së Drejtësisë, por në frymën e kolegjialitetit në administrim. Ky kolegjialitet është bashkë-administrim me ministritë/organet e tjera shtetërore, (në përbërje të Bordit Drejtues), pozicioni i të cilave ka të bëjë/ndikon në çështjet e pasurive të paluajtshme.

E njëjta frymë pasqyrohet edhe në ligjin nr.111/2018 “Për kadastrën”. Për më tepër, me këtë ligj, Ministrisë së Drejtësisë i shtohet edhe roli i mbikëqyrësit (neni 13, pika 6) të drejpërdrejtë (monitorimi dhe kontrolli i përhershëm i progresit dhe cilësisë), të regjistrit.

Nga ana tjetër, nëse diskutojmë thjeshtë varësinë hierarkike-institucionale, situata strukturore e deritanishme ndjek “piramidën”: ZRPP, që varet nga Ministri i Drejtësisë, që është vartës i Kryeministrit. Pra, në bazë të rregullave elementare të logjikës, ZRPP është njëkohësisht organ vartës i Kryeministrit. E njëjta logjikë vlen edhe për të githa organet, pjesë e pushtetit ekzekutiv. Kujtojmë gjithashtu se, aktualisht Kryeregjistruesi emërohet drejtpërdrejtë nga Kryeministri. Në këtë pikëpamje nuk ka asnjë ndryshim thelbësor, midis situatës aktuale dhe asaj që parashikohet në ligjin nr.111/2018 “Për kadastrën”. E vetmja risi në këtë drejtim është përgjegjësia e drejtpërdrejtë e Kryeministrit mbi mbarëvajtjen e Institucionit të ri.

Për gjithë sa më sipër rezulton e paqartë se ku qëndron cënimi i sigurisë juridike, apo i të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve shqiptarë, në dyzimin mes varësisë së ASHK nga Kryeministri, apo vetëm nga Ministria e Drejtësisë.

  1. Përmbajtja e ligjit nr.111/2018 “Për kadastrën”dhe parimi i sigurisë juridike në qarkullimin civil të pasurive të paluajtshme, si dhe standardi kushtetues i të drejtave të fituara.

Sipas arsyetimit të Dekretit nr.11055, mosparashikimi në mënyrë të detajuar në këtë ligj, (ndryshe nga ligji 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”) i normave për shpërblimin e dëmit, që mund të vijë si pasojë e veprimtarisë së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përbën cënim të parimit të sigurisë juridike për sa i takon mbrojtjes së interesit publik dhe cënimit të standartit Kushtetues të të drejtave të fituara nga shtetasit.

Në raport me këtë konkluzion, le të parashtrojmë burimin real të së drejtës për shpërblimin e dëmit civil edhe për këtë situatë. Kështu, baza ligjore mbi të drejtën e subjekteve për shpërblimin e dëmit civil gjendet në nenet 608 e vijues të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë. Prej këtej e ka zanafillën edhe e drejta për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor që shkaktohet nga organet shtetërore, ndaj subjekteve të së drejtës private. Gjithashtu, kuadrin ligjor që rregullon këtë cështje, ligjvënësi e ka plotësuar me miratimin e ligjit nr.8510, datë 15.7.1999 “Për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore”. Ky ligj, garanton në mënyrë të posaçme shpërblimin e dëmit që vjen si pasojë e veprimtarisë së të gjithë organeve të administratës shtetërore. Nisur nga ky parashtrim, siguria e subjekteve për të drejtën e shpërblimit të dëmit, sikurse dhe mjetet ligjore për garantimin e saj, nuk e kanë origjinën nga legjislacioni që lidhet me regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Për këtë arsye, dispozita të kësaj natyre janë të pa nevojshme për t’u përfshirë në ligjin 111/2018 “Për kadastrën“ sepse do të ishin thjesht përsëritje të normave të konsoliduara, ekzistuese. Ajo çka është e rëndësishme për tu parashikuar në ligjin e kadastrës ka të bëjë thjesht me aspektetet financiare dhe administrative, që do të mundësojnë mjetet monetare për të garantuar shpërblimin e dëmit, gjë të cilën e parashikojnë nenet 6 dhe 8 të ligjit 111/2018, “Për kadastrën”.

Për gjithë sa më sipër, vlerësimi i ligjit duhet të ishte mbështetur në dispozitat materiale të Kodit Civil dhe ligjeve të tjera të rëndësishme, dhe jo të përqëndrohej në ato që kanë të bëjnë me administrimin apo varësinë hiearkike.

  1. Neni 37/b i ligjit nr.111/2018 “Për kadastrën” dhe parimi i sigurisë juridike në lidhje me të drejtën e pronës, si dhe jurisprudenca kushtetuese.

Në arsyetimin e Instuticionit të Presidentit është ndryshuar konteksti i çështjes dhe i është bërë referencë një situate që nuk trajtohet fare nga ligji nr.111/2018, “Për kadastrën”, duke krijuar në këtë mënyrë, një problem që nuk ekziston. Konkretisht janë cituar vendimet nr.27/2010 dhe nr.43/2012 të Gjykatës Kushtetuese që deklarojnë, se: Organet e administratës shtetërore nuk kanë të drejtë të shfuqizojnë apo anulojnë dokumentat e pronësisë. Ligji “Për kadastrën” askund nuk tenton t’i japë Agjencisë këtë kompetencë. Neni 37/b i ligjit “Për Kadastrën”, që është marrë në analizë nga Institucioni i Presidentit, flet vetëm për korrigjim gabimesh materiale dhe saktësim të tyre. Kjo, në mënyrë që dokumentacioni të regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme, sipas gjendjes reale të pasurisë dhe të drejtës reale që lidhet me të. Korrigjimi i gabimeve materiale është krejt tjetër gjë nga shfuqizimi, sepse nuk e shuan apo zhduk të drejtën e pronësisë, por vetëm saktëson dokumentacionin e saj. Kjo është mëse e qartë për publikun dhe lexuesin e ligjit, sidomos për profesionistët e së drejtës.

Vendimet e mësipërme të Gjykatës Kushtetuese referojnë në situatën kur organi administrativ shtetëror do të kryente shfuqizimin e titullit të pronësisë, çka nuk është rasti në nenin 37/b të ligjit “Për Kadastrën”.

Është për tu përmendur këtu se në të gjithë tekstin e analizës, Institucioni i Presidentit u referohet vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pa përmendur asnjëherë drejtpërdrejt nenet e Kushtetutës që pretendohet të jenë shkelur, (çka do ia bënte më të thjeshtë publikut të kuptuarit dhe të verifikuarit të vërtetësisë së pretendimeve).

  1. Parashikimet e pikës 2 të nenit 28, të ligjit nr. 111/2018 dhe rreziku për cënimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale që administrohen në regjistrin publik digjital të pasurive të paluajtshme.

Shqetësimi i Presidentit lidhur me pikën 2 të nenit 28 të ligjit, nuk qëndron pasi përmbajtja e nenit nuk ka asnjë mangësi në kuptim të ruajtjes së të dhënave personale. Kjo pasi në paragrafet e tjerë të nenit shprehet qartë se palët marrin akses në të dhënat e sistemit, vetëm me pëlqimin e pronarit të pasurisë së regjistruar (pika 3 e të njëjtit nen). Referimi në mënyrë të izoluar tek paragrafit 2, pa e parë nenin në tërësi është i pakuptimtë. Ky nen përvec sa më sipër shprehet që në fillim për garantimin e sigurisë së të dhënave personale dhe mosmanipulimin e regjistrit digjital të pasurive të paluajtshme. Duhet përmendur gjithashtu se ky nen është thjeshtë rikonfirmim i nenit 68 të ligjit ekzistues nr.33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.

  1. Parashikimet e ligjit nr.111/2018 dhe referencat në projektligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

Nisur nga fakti se ligji nr.111/2018, “Për kadastrën” dhe projektligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, janë pjesë e të njëjtës paketë dhe kanë lidhje organike me njëri tjetrin, referencat tek njëri-tjetri janë të pashmangshme. Nisur nga ky fakt, ligji nr.111/2018 “Për kadastrën” në fazën e projektligjit, është paraqitur për miratim në Kuvendin e Shqipërisë, së bashku me projektligjin “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”. Nisur nga fakti se është drejt finalizimit procedura e miratimit nga Kuvendi edhe e projektligjit të mësipërm, vlerësojmë se ky argument i përdorur për kthimin për rishqyrtim të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, është i pavend.

Në përmbledhje të të gjithë argumentave të parashtruara më sipër, është i dukshëm fakti se kthimi për rishqyrtim i ligjit “Për Kadastrën”, nuk është i mbështetur as në arsye kushtetuese, as në shkaqe të harmonizimit me Kodin Civil.

Krijohet perceptimi se ky veprim bazohet në qëndrimin e ndryshëm të Institucionit të Presidentit ndaj nismës, për reformën në fushën e pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme.