Comment are off

Shpërndahen 250 leje legalizimi në zonën e Kombinatit, Tiranë

250 leje legalizimi janë shpërndarë  në zonën e Kombinatit, në Tiranë. Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të ALUIZNI-t, Artan Lame ftuan gjithë banorët që kërkojnë të mbyllin këtë proces, të bëhen bashkëpunues me institucionet.

20161117_18111320161117_181820
Artan Lame, Drejtor i Përgjithshëm i ALUIZNI-t tha se: “Në këtë zonë ka akoma shumë legalizime për t’u bërë, shumë familje që e presin procedurën. Ka shumë familje që ende janë duke plotësuar dokumentacionin. Flisni me ta për të plotësuar, për të ardhur në zyrat tona, për të shkuar të zyrat e Njësisë Administrative kur ka nevojë për të marrë dokumente nga njësia për t’i plotësuar dosjen. Thuajuni – ne vajtëm, morëm dhe mbyllëm procesin e legalizimit, shkoni dhe ju aplikoni dhe ndiqni procedurat, plotësoni dosjet, – sepse vetëm bashkë mund ta çojmë procesin përpara. Ne nga zyra dhe ju nga shtëpia nuk i legalizojmë dot. Bashkërisht siç e bëmë deri më sot do vazhdojmë dhe më tutje”.
Ndërsa Ministri Tahiri u shppreh se: “Sot në të gjithë qarkun e Tiranës janë bërë rreth 20 mijë legalizime, ose 6 herë më shumë, sesa janë bërë në 8 vitet e qeverisë Berisha. Ajo që kemi bërë në këto 3 vjet është prova më e mirë, për t’u bashkuar dhe bërë më shumë më tej.
E dini fort mirë ju më shumë se unë, sesa shumë kandidatë për deputetë, për kryetarë bashkie, deputetë, ministra, qeveritarë ju kanë ardhur te dera. Se sa shumë ju kanë matur shtëpinë. Sa shumë iu kanë rënë nga pas, pas çdo zgjedhje, para çdo fushate elektorale e kështu me radhë. Vetëm duke iu premtuar legalizimin. Është një plagë jo e vogël sot, të cilën ne po e trajtojmë me energji maksimale. Siç kemi bërë me legalizimet, kemi bërë thuajse me të gjitha fushat.  Shqipëria që morëm në 2013-n ishte buzë greminës, sa i takon ekonomisë, infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë, sigurisë, të gjitha fushave.
Secili prej jush e di sesa e vështirë ishte jeta. Në çdo familje ka probleme. Çdo familje mundohet dhe me sakrificë t’i zgjidhë pak nga pak, çdo ditë, asgjë nuk bëhet brenda natës, dhe aq më pak punët e mëdha nuk bëhen as brenda muajit dhe as brenda vitit. Ndaj duhet kohë. Mbi të gjitha duhet kohë dhe besimi juaj” .