Comment are off

VENDIM Nr.332, datë 12.3.2008, “PËR PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË PËRGJITHSHME PËR RUAJTJEN DHE ADMINISTRIMIN E INFORMACIONIT HARTOGRAFIK, TË PËRFTUAR NGA FOTOGRAFIMI AJROR, DIXHITAL, I TERRITORIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3 të nenit 4 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, me propozimin e Ministrit të Zhvillimit Urban, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Institucionet shtetërore për ruajtjen, administrimin dhe shpërndarjen e informacionit hartografik kanë përgjegjësitë dhe zbatojnë detyrimet dhe rregullat e përcaktuara në këtë vendim.
  1. Produkti fotogrametrik (ortofoto dhe harta vektoriale) përbën bazën zyrtare të informacionit hartografik të territorit të Republikës së Shqipërisë dhe do të shërbejë për:

a) funksionimin e sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme;

b) funksionimin e sistemit kombëtar të adresave;

c) funksionimin e sistemit të regjistrimit të popullsisë;

ç) kryerjen e studimeve urbane në të gjithë territorin e vendit;

d) zbatimin e projekteve të ndryshme, me interes publik;

dh) zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga ligji nr.8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar.

2.1 Në funksion të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ALUIZNI vendos në dispozicion të ZRPP-së hartën vektoriale të përditësuar me ndërtimet informale, sipas zonave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme (bllok kadastral).

2.2 Harta vektoriale e përditësuar vihet në dispozicion në format elektronik.

2.3 Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e administrimit të hartës vektoriale, ZRPP-ja informon ALUIZNI-n për gjendjen juridike të pasurive në bllokun kadastral përkatës. Për zonat kadastrale, që nuk i janë nënshtruar regjistrimit fillestar, ALUIZNI, me marrjen e informacionit nga ZRPP, kryen procedurat e njoftimit publik për 30 (tridhjetë) ditë, në një vend të përshtatshëm për konsultim publik.

2.4 ZRPP-ja përfundon, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditësh nga data e administrimit të hartës vektoriale, sipas rastit, procesin e korrigjimit ose të përmirësimit/përditësimit të kartelave e të hartave kadastrale, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”.

2.5 Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, regjistrimi dhe transaksionet e pasurive të paluajtshme nga ZRPP-ja kryhen vetëm në format digjital, nëpërmjet sistemit elektronik (Albsrep). Në zbatim të kësaj pike, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) duhet të hartojë dhe të miratojë një rregullore të posaçme.

2.6 ZQRPP-ja siguron shfaqjen e hartës kadastrale në Gjeoportalin Kombëtar të administruar nga ASIG-u, menjëherë nga momenti i regjistrimit apo transaksionit mbi pasurinë e paluajtshme.

2.7 Brenda datës 31 mars 2016, ZQRPP-ja duhet të hartojë projektin për digjitalizimin dhe përditësim/përmirësimin e të dhënave që posedon në format analog. Implementimi i projektit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë realizohet brenda 3 (tri) viteve.

  1. Kopjet origjinale të produktit fotogrametrik, i cili përcakton gjendjen ekzistuese për çdo pjesë të territorit, sipas datës kur është kryer fotografimi, dhe sipas të dhënave teknike, të parashikuara në kontratën e lidhur për këtë qëllim, të depozitohen pranë:

a) Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), për t’u përdorur për shërbimet përkatëse për këtë produkt dhe për përgatitjen e hartave në shkallët 1: 500 deri në 1: 5000, në funksion të procesit të legalizimit dhe urbanizimit.

b) Arkivit Shtetëror të Këshillit të Ministrave.

  1. ALUIZNI është autoriteti përgjegjës për shpërndarjen e produktit fotogrametrik, nga një kopje në formatin elektronik, brenda një muaji nga marrja në dorëzim e tij, në institucionet e mëposhtme:

a) Ministrinë e Brendshme;

b) Ministrinë e Zhvillimit Urban;

c) Ministrinë e Drejtësisë;

ç) Ministrinë e Mbrojtjes;

d) Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës;

dh) Ministrinë e Financave;

e) Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit;

ë) Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve;

f) Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave;

g) Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta;

gj) Ministrinë e Shëndetësisë;

h) Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës;

i) Ministrinë e Punëve të Jashtme;

j) Ministrinë e Integrimit;

k) Institutin e Statistikës;

l) Institutin Gjeografik Ushtarak;

ll) Arkivin Qendror Teknik.

  1. Ministria e Brendshme është autoriteti përgjegjës, që, me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Urban, do të kryejë dublikimin, riprodhimin dhe legalizimin e kopjeve të pjesshme të produktit fotogrametrik, sipas njësive të veçanta të qeverisjes vendore, dhe shpërndarjen e tij për secilën njësi, brenda dy muajve nga marrja në dorëzim nga ALUIZNI.
  1. Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit është autoriteti përgjegjës për dublikimin, riprodhimin dhe legalizimin e kopjeve të produktit fotogrametrik, në favor të subjekteve të interesuara publike apo private. Brenda 45 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit paraqet, për miratim, planveprimin për plotësimin me burime, njerëzore dhe financiare, për ofrimin e këtyre shërbimeve.
  1. Ministri i Zhvillimit Urban, brenda një muaji nga miratimi i planveprimit, të përcaktuar në pikën 6 të këtij vendimi, nxjerr udhëzimin përkatës për mënyrën dhe tarifën e dublikimit, të riprodhimit dhe legalizimit të pjesshëm, për çdo njësi të produktit fotogrametrik, për subjektet e interesuara publike dhe private.
  1. Institucionet, që, sipas pikës 4 të këtij vendimi, do të përfitojnë kopje të produktit fotogrametrik, të nxjerrin, brenda tri muajve, rregulloret përkatëse për ruajtjen dhe/ose përdorimin e këtij produkti.
  1. Agjencitë dhe institucionet hartografike, gjeodezike e projektuese, shtetërore ose private, janë të detyruara që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të hartojnë dhe miratojnë strategjitë për zbatimin, në sistemin e tyre, të produktit fotogrametrik, të përftuar nga fotografimi ajror, dixhital i territorit të Republikës së Shqipërisë, për korrigjimin e informacionit gjeografik, që disponojnë.
  1. Institucionet përgjegjëse për përpunimin e informacionit gjeografik, të përftuar nga fotografimi ajror, dixhital i territorit të Republikës së Shqipërisë, të kryejnë përpunimin, në përputhje me direktivën 2007/2/ të Parlamentit Europian dhe të Këshillit të Europës, për infrastrukturën e informacionit hapësinor.

10.1 ASIG-u, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditësh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, harton, në përputhje me pikën 1, të nenit 16, të ligjit nr. 72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeoha-pësinor” “Standardin shtetëror” të informacionit gjeohapësinor për termat e parashikuar në shkronjat “e” dhe “l”, të nenit 11, të këtij ligji.

10.2 Produkti fotogrametrik (ortofoto), i përftuar nga fotografimi ajror digjital i territorit, përdoret deri në aplikimin e produktit të fotografimit të ri ajror.

  1. Prodhimi i informacionit gjeografik dhe i hartave topografike në shkallë të mëdha kryhet në përputhje me vendimin nr. 669, datë 7.8.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për përcaktimin, krijimin dhe realizimin e kornizës referuese, gjeodezike, shqiptare (KRGJSH-2010), si metadatë.
  1. Institucionet shtetërore nuk mund të kryejnë procedura prokurimi, me fonde publike apo të donatorëve, për krijimin e produkteve hartografike të një standardi me të ulët se produkti fotogrametrik, i përftuar nga fotografimi ajror, dixhital i territorit të Republikës së Shqipërisë.
  1. Ngarkohen ministri i Zhvillimit Urban, ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave / Ndërtimeve Informale dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

KRYEMINISTRI

                    Edi Rama