Comment are off

VENDIM Nr.411 PËR KRITERET, PROCEDURAT DHE TIPIN E FORMULARIT TË LEJES SË LEGALIZIMIT

(ndryshuar me VKM-në nr.40, datë 11.1.2012)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 28 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) lëshon lejen e legalizimit, për objektin /shtesën pa leje në ndërtime me leje, kur:

a) për objektin/shtesën pa leje në ndërtime me leje është kryer vetëdeklarimi vullnetar brenda afatit ligjor;

b) objekti/shtesa pa leje në ndërtime me leje nuk ndodhet në kushtet e përjashtimit nga legalizimi, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar;
c) për objektin/shtesën pa leje në ndërtime me leje është plotësuar dokumentacioni tekniko- ligjor, i parashikuar në nenet 27 e 37 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar;
ç) subjekti posedues ka shlyer pagesat e parashikuara në pikat 1, 2, 3 dhe 5 të vendimit nr.1180, datë 3.12.2006 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e vlerës së tarifës së shërbimit dhe mbledhjen e administrimin e të adhurave të procesit të legalizimit”, të ndryshuar.

2. Drejtoritë e ALUIZNI-t pranë qarqeve, pas verifikimit të dokumentacionit dhe vlerësimit të përmbushjes ose jo të kushteve të përmendura në pikën 1 të këtij vendimi, për objektin informal/shtesën pa leje në ndërtime me leje, vendosin kualifikimin për legalizim ose përjashtimin nga legalizimi. Vendimi, i cili shoqërohet me aktin përkatës, të argumentuar, administrohet si pjesë përbërëse e dosjes së legalizimit.

3. Drejtoritë e ALUIZNI-t, pranë qarqeve, pas kualifikimit për legalizim të objekteve informale/shtesave pa leje në ndërtime me leje, veprojnë, si më poshtë vijon:
a) Publikojnë në medien e shkruar dhe në faqen zyrtare të internetit, listën e poseduesve të objekteve informale/shtesave pa leje në ndërtime me leje, që kualifikohen për legalizim dhe të atyre që përjashtohen nga legalizimi.

b) Hartojnë dokumentacionin teknik (genplan, planimetritë dhe fragmentin e fotografisë ajrore dixhitale).

c) Përllogarisin detyrimet financiare të objektit informal/shtesës pa leje në ndërtime me leje, që legalizohet, dhe njoftojnë poseduesit për shlyerjen e tyre.
ç) Pranojnë nga subjekti i interesuar dokumentacionin e përcaktuar në nenet 27 e 37 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar.

d) Lidhin kontratën e kalimit të së drejtës së pronësisë së parcelës ndërtimore, nga shteti te poseduesi i objektit informal/shtesës pa leje në ndërtim me leje, në përputhje me nenin 17 të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar.
dh) Brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e shlyerjes së pagesës sipas shkronjës “ç” të pikës 1, të këtij vendimi, lëshojnë dhe e pajisin subjektin me leje legalizimi për objektin informal/shtesën pa leje në ndërtime me leje;”

e) Publikojnë në median e shkruar dhe në faqen zyrtare të internetit listat emërore të subjekteve, objektet e të cilave pajisen me leje legalizimi, si dhe ia përcjellin ato njësive të qeverisjes vendore, për njoftim dhe publikim

4. Poseduesit e objektit ose subjektet e interesuara, brenda një muaji nga data e publikimit të listës emërore, të përmendur në pikën 3 të këtij vendimi, mund të bëjnë ankim administrativ në Drejtorinë Qendrore të ALUIZNI-t ndaj vendimit/lejes përkatëse të drejtorisë së ALUIZNI-t pranë qarqeve sipas procedurës së përcaktuar në ligjin nr.8485, datë 12.5.1999 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”

5. Leja e legalizimit, së bashku me dokumentacionin e nevojshëm për regjistrim, dërgohen pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, nga drejtoritë e ALUIZNI-t, pranë qarqeve.

6. Për objektet informale/shtesat pa leje në ndërtime me leje, që përjashtohen nga procesi i legalizimit, drejtoritë e ALUIZNI-t, pranë qarqeve, i dërgojnë njoftim me shkrim poseduesve të tyre, si dhe organeve të njësive të qeverisjes vendore, ku këto objekte gjenden. Brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit, poseduesi mund të ankohet ndaj vendimit të përjashtimit në Drejtorinë Qendrore të ALUIZNI-t.

7. Formulari TIP i lejes së legalizimit është sipas modelit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
8. Vendimi nr.871, datë 27.12.2006 i Këshillit të Ministrave “Për kriteret, procedurat dhe tipin e formularit të lejes së legalizimit”, shfuqizohet.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

II. Drejtoritë e ALUIZNI-t pranë qarqeve, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të përfundojnë shqyrtimin/verifikimin e kërkesave/dokumentacionit të depozituar për legalizim për objektet informale/shtesat pa leje në ndërtime me leje dhe, në bazë të vlerësimit të përmbushjes ose jo të kushteve të kërkuara, të nxjerrin vendimet përkatëse për kualifikimin për legalizim ose përjashtimin nga legalizimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

KRYEMINISTRI
Sali Berisha