Comment are off

VENDIM Nr. 860, datë 10.12.2014 ndryshuar me vendimin nr. 182, datë 9.3.2016 “PËR PËRCAKTIMIN E MËNYRËS SËMBLEDHJES DHE ADMINISTRIMIT TË TË ARDHURAVE PËR NDËRTIMET PA LEJE DHE VLERAVE TË ZBATUESHME PËR LEGALIZIM”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 32, pika 3, dhe 43, pika 2, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

  1. Të ardhurat për përballimin e shpenzimeve të evidentimit në terren dhe të hartimit të dokumentacionit, për ndërtimet pa leje, të përbëhen nga:

a) 30 për qind e fondit të arkëtuar nga pagesa e parcelës ndërtimore;

b) të ardhurat e arkëtuara nga pagesa e tarifës së shërbimit, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik dhe të përzier, si dhe nga pagesa e penaliteteve, në masën e vlerësuar nga ALUIZNI, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

2. Tarifa e shërbimit për legalizim, për ndërtimet pa leje me funksion social-ekonomik, si dhe për objektet e dyta, në kuptim të nenit 25, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, është 8 000 (tetë mijë) lekë, për çdo kat të ndërtimit.

3. Për ndërtimet pa leje, me funksion të përzier, subjekti të paguajë tarifë shërbimi, në vlerën e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, vetëm për katin e shfrytëzuar për veprimtari social-ekonomike.

4. Pagesa e tarifës së shërbimit të kryhet brenda 30 ditëve nga data e njoftimit me shkrim të ALUIZNI-t.

4/1. Për ndërtimet pa leje, njoftimi për pagesën e tarifës së shërbimit (në rastet kur kjo tarifë aplikohet), i dërgohet subjektit në rrugë postare ose i jepet në dorëzim menjëherë pas kualifikimit të ndërtimit për legalizim (data e vendimit të kualifikimit). Në rast mospagimi të tarifës, ALUIZNI, pas miratimit të lejes së legalizimit, e dërgon atë për regjistrim me hipotekë ligjore mbi ndërtimin, sipas nenit 54, të ligjit nr. 33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.

  1. Taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë, për ndërtimet e legalizuara, pavarësisht nga funksioni i tyre, të llogaritet, arkëtohet dhe administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.

Për zbatimin e kësaj pike, drejtoritë e ALUIZNI-t, të vënë në dispozicion të njësive të qeverisjes vendore, në momentin e dërgimit për regjistrim në ZVRPP, të dhënat e ndërtimeve që pajisen me leje legalizimi.

  1. Për llogaritjen e penalitetit të legalizimit të shtesave të subjektit ndërtues, sipas nenit 43, të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, si çmim minimal fiskal të përdoret vlera e kostos mesatare të ndërtimit të banesave për m 2 , bazuar në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, të miratuar në zbatim të shkronjës “dh”, të nenit 34/1, të ligjit nr. 9232, datë 13.5.2004. “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar.
  2. Për ndërtimet në zona ku nuk ka vlera të miratuara të kostos mesatare, përllogaritja të kryhet në bazë të mesatares aritmetike të kostove të zonave kufitare.
  3. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 1180, datë 5.8.2008, “Për përcaktimin e vlerës së tarifës së shërbimit për legalizim dhe mbledhjen e administrimin e të ardhurave të procesit të legalizimit”, të ndryshuar, dhe nr. 870, datë 27.12.2006, “Për koeficientin e shfrytëzimit të ndërtesës në legalizim, me destinacion social-ekonomik”, shfuqizohen.
  4. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Agjencia e Legalizimit,

Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe njësitë e qeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

 

KRYEMINISTRI

Edi Rama