Comment are off

Vendimi i Këshillit të Ministrave, lista emërore e kalimit të pronësisë

Vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave;

V E N DIM PËR MIRATIMIN E KALIMIT TË PRONËSISË SË DISA PARCELAVE NDËRTIMORE NË FAVOR TË POSEDUESVE TË OBJEKTEVE INFORMALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, dhe të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave 

V E N D O S I:

1. Sipërfaqet maksimale, për të cilat miratohet kalimi i të drejtës së pronësisë mbi parcelën e ndërtimit pa leje, të jenë sipas listës emërore dhe evidencës që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Numri i parcelave ndërtimore dhe sipërfaqja e përgjithshme e truallit, për secilin qark, janë, si më poshtë vijon:

a) Qarku Berat, 42 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 12 381,12 (dymbëdhjetë mijë e treqind e tetëdhjetë e një presje dymbëdhjetë) m²;
b) Qarku Dibër, 10 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 2 979,1 (dy mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e nëntë presje një) m²;
c) Qarku Durrës, 120 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 50 465,5 (pesëdhjetë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e pesë presje pesë) m²;
ç) Qarku Elbasan, 25 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 6 489,4 (gjashtë mijë e katërqind e tetëdhjetë e nëntë presje katër) m²;
d) Qarku Fier, 367 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 118 662,2 (njëqind e tetëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e dy presje dy) m²;
dh) Qarku Gjirokastër, 12 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 2 431,9 (dy mijë e katërqind e tridhjetë e një presje nëntë) m²;
e) Qarku Korçë, 8 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 1 075,92 (një mijë e shtatëdhjetë e pesë presje nëntëdhjetë e dy) m²;
ë) Qarku Kukës, 19 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 3 465,83 (tre mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e pesë presje tetëdhjetë e tre) m²;
f) Qarku Lezhë, 14 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 4 206 (katër mijë e dyqind e gjashtë) m²;
g) Qarku Shkodër, 179 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 63 128,18 (gjashtëdhjetë e tre mijë e njëqind e njëzet e tetë presje tetëmbëdhjetë) m²;
gj) Qarku Tiranë, 103 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 30 934,8 (tridhjetë mijë e nëntëqind e tridhjetë e katër presje tetë) m²;
h) Qarku Vlorë, 20 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 5 837 (pesë mijë e tetëqind e tridhjetë e shtatë) m².
3. Ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për lidhjen e kontratave të kalimit të së drejtës së pronësisë, për parcelat ndërtimore, sipas neneve 83 e 750, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

4. Deri në momentin e regjistrimit të ndërtimit të legalizuar, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme të mos kryejnë ndryshime të gjendjes juridike të pasurive të listuara në këtë vendim.

5. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

VKM Lista e kalimit te pronesise